Trevat e Dukagjinëve
Zemra e familjes Dukagjini ishte në veri të Shqipërisë. Këto treva ishin Mirdita, Zadrima, Pulti dhe rrafshi i Dukagjinit deri në qytetin e Prizrenit përgjatë rrugës antike Lissus-Naissus. Qyteti i Lezhës ishte qendra e trevave të Dukagjinit.
Mirdita, midis lumenjve Drin dhe Mat, është rajoni më i vjetër që përmendet si pjesë e trojeve të Dukagjinit. Duka Gjin Tanushi ishte zot i Ndërfandës, ku 65 vjet më parë Dhimitër Progoni kishte ndërtuar kishën e Ndërfandës. Në burimet mesjetare, Fandi (pjesë e Mirditës), Malzi (Mal i Zi, në verilindje të Mirditës) dhe luginat e formuara nga degët e Drinit renditen si pjesë e trojeve të Dukagjinëve. Tokat e Dukagjinëve ishin në veri të Kastriotëve. Në të njëjtin rajon, kalatë e Dejës (Dagnum) dhe Shatit, të cilat ruanin rrugët tregtare, shpesh gjendeshin nën kontrollin e familjeve Dukagjini, Zaharia dhe Jonima dhe Republikës së Venedikut.
Emërtimi Mirditë fillimisht i referohej Oroshit dhe Spaçit brenda trevës për të cilën përdorej emërtimi Dukagjin. Më vonë "Mirdita" u përdor në mënyrë të ndërsjellë me emërtimin Dukagjin dhe përfundimisht u bë emri i vetëm për të gjithë rajonin që sot njihet si Mirditë. Kjo zonë u bë pjesë e sanxhakut osman të Dukaginit, i cili përfshinte në shekullin XVI të gjitha trojet e Dukagjinëve nën një njësi administrative. Tanush (i Madh) Dukagjini ishte Zot i Fan(d)it në vitin 1387. Shumë mikrotoponime në Mirditë dëshmojnë praninë historike të pasardhësit të tij Lekë III Dukagjini: Xhuri Le dhe Xhuri Leks (Shkëmbi i Lekë Dukagjinit), Tryeza e Lekës dhe Ura e Lekës. Mali i Zi (Malzi) shtrihet në perëndim të qytetit të Kukësit. Vendbanimet e (Malzit) janë: Kolshi, Kalimashi, Kryemadhi, Shtana, Dukagjini, Spasi, Petkaj, Mëgulla, Pista.
Zadrima dhe Pult (Pulatum) janë trevat në jug të qytetit të Shkodrës që e lidhin atë me Lezhën. Pulti ishte një zonë me popullsi të dendur në mesjetë me dhjetëra vendbanime në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare rajonale. Edhe pse emërtimi i saj më i vjetër është Pult, sot ajo njihet më së shumti si Malësia e Dukagjinit për shkak të mbretërimit të gjatë të Dukagjinit, të cilët e quanin veten "Dukët e Pultit" (Duca di Pulato). Në të gjitha qytetet kryesore të rajonit si Shkodra dhe Ulqini, familja Dukagjini zotëronte prona.
Marrëveshja e vitit 1387 ndërmjet Dukagjinëve dhe qytetit të Raguzës, e cila garantonte kalimin e lirë dhe të sigurt të tregtarëve raguzanë nga Lezha në Prizren përgjatë Lissus-Naissus, sugjeron se Dukagjinët përveç kontrollit të qyteteve të Lezhës dhe Prizrenit kishin marrë kontrollin e rajonit deri në brendësi të Gjakovës dhe Pejës. Pas vitit 1393, trojet e Dukagjinëve u kufizuan brënda Zadrimës, pasi osmanët u zgjeruan dhe ia dorëzuan territorin familjes Jonima, të cilët ishin vasalët e tyre të krishterë vendas. Familja Jonima u zhduk pas vitit 1409 dhe Dukagjinit filluan të rifitonin të gjitha tokat e humbura.
Në defterët e Prizrenit në shekullin e XVI prona të shumta i përkisnin ende familjes Dukaginzade nën menaxhimin e vakëfit të Dukaginzade Ahmed Pashës. Timari i fshatit Reti e Poshtme i mbajtur nga Dukaginzade Mehmed Beu (i njohur më vonë si Dukaginzade Gazi Mehmed Pasha) shënon një nga pronat e Dukagjinëve në rajon.
Lidhjet e shumëanshme të Dukagjinëve me trojet e tyre janë dëshmi e rrënjëve të thella të tyre në Arbëri dhe ndikimit të familjes në historinë shqiptare.