Dukaginzadetë në Mesdhe

Gjatë shekujve, shumë familje kanë pretenduar prejardhje nga Dukagjinët mesjetarë. Ndërsa kërkimet po ecin përpara, do të gjenden më shumë për lidhjet e tyre me Dukagjinët. Dukaginzadetë janë e vetmja degë e cila është dokumentuar historikisht deri sot. Ata janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Lekë III Dukagjinit nëpërmjet nipit të tij Ahmed/Progon i cili u bë i njohur si Dukaginzade (i biri i Dukagjinit) në Perandorinë Osmane. Mbiemri në burimet osmane si Dukaginzade (sh. Dukaginzadeler), Dukakinzade, Dukaginoglu (sh. Dukaginogullari).

Dukaginzade Ahmed Pasha ishte gjeneral në Perandorinë Osmane. Emri i tij origjinal para konvertimit në Islam ishte Progon. Ai ishte damad (dhëndër) i Shtëpisë Perandorake Osmane pasi ishte i martuar me Gevhershah Ayse, vajzën e Ayse Sulltanit, vajzën e Sulltan Bajazitit II. Ati i saj ishte Guveji Arnavut (Shqiptar) Sinan Pasha. Ahmed Pasha arriti gradën më të lartë në Perandori, postin e Vezirit të Madh. Meqenëse ai ishte i lidhur ngushtë me radhët e ushtrisë dhe nuk mbështeti fushata të gjera që çuan në humbjen e shumë jetëve, ai u ekzekutua në vitin 1515 nga Sulltan Selim I. Vrasja e Ahmed Pashës rezultoi në përleshje midis shqiptarëve dhe osmanëve në Shqipëri sidomos në Lezhë e Shkodër sepse ai shtyu për shumë vendime të cilat mbështetën popullin shiptar duke përfshirë përjashtimet nga taksat, të drejtën për të mbajtur armë dhe koncesione për tregtarët në tregjet e huaja. Politikat e Ahmed Pashës për vendlindjen ishin aq të qëndrueshme sa Frang Bardhi në 1637 shkruan se burrat e Dukagjinit janë të vetmit në tokat e osmanëve që mund të mbajnë armë lirshëm kur negociojnë me osmanët. Ai ndërtoi një nga xhamitë më të hershme në qytetin e Prizrenit, e njohur si Xhamia Tabakhane. Ai dhe Gevhershah Ayse kishin dy fëmijë: Dukaginzade Mehmed Pashën dhe Fatima Sulltan.

Dukaginzade Mehmed Pasha (v. 21 janar 1557) ishte guvernator i Aleppos dhe Kajros. Ai ndërmori projektin masiv të ndërtimit të kompleksit të xhamisë Al-Adiliyah në Aleppo të Sirisë. Projekti i Mehmed Pashës lidhet me planet e tij për zhvillimin ekonomik dhe shoqeror të qytetit. Për shkak të veprave të tij të mëdha bamirësie, historianët osmanë e kanë përshkruar atë si një njeri "që ishte shumë bamirës dhe bujar dhe shumë afër fesë". Ai ishte i martuar me Gevherhan Sulltanin, vajzën e Sulltan Selimit I. Ata kishin katër fëmijë: Ahmed Beun, Osman Beun, Hasan Beun dhe Nislishah Sulltanin. Ai është varrosur në lagjen Eyüp në Stamboll.

Xhamia Al-Adilija e Aleppos, e ndërtuar nga Dukaginzade Mehmed Pasha

Dukaginzade Ahmed Beu ishte një nga djemtë e Mehmed Pashës dhe Gevherhan Sulltanit. Si i tillë ai njihet si “Sultanzade”. Ahmed Beu ishte guvernator i Razgradit në Bullgarinë veriore, atëherë një zonë në lulëzim që lidhte Stambollin me principatat rumune. Një nga xhamitë e para të qytetit u ndërtua nga Ahmed Beu. Është e paqartë nëse një guvernator Dukaginzade i Smederevës (Beogradit) ishte Ahmed Beu, babai i tij Mehmed Pasha apo djali i tij Mehmed Beu.

Ahmed Beu është i njohur në historinë osmane për kontributin e tij në letërsinë osmane. Ai i përkiste rrymës sufiste në shekullin e 16-të. Sufizmi përqendrohet shumë në temat e misticizmit dhe aspektet ezoterike të Islamit. Ai la një numër të madh veprash, veçanërisht në formën e gazaleve (formë poezie) si mistikët e tjerë sufi. Shtatë kopje të koleksioneve të tij poetike kanë mbijetuar, më e madhja prej të cilave ka 263 gazale. Ai është vlerësuar për eksplorimin e tij të stileve dhe përdorimin e shumë gjuhëve të ndryshme duke përfshirë gjuhën turke lindore Chagatai. Djali i tij ishte Mehmed Beu, më vonë i njohur si Dukaginzade Gazi Mehmed Pasha. Ahmed Beu vdiq në 1556 dhe është varrosur në kompleksin e varrezave Dukaginzade në Eyüp. Në të njëjtin kompleks janë varrosur motra e tij Nislishah Sultan dhe anëtarë të tjerë të familjes.

Diwan (Divan) nga Dukaginzade Ahmed Beu

Dukaginzade Osman Beu ishte djali i Dukaginzade Mehmed Pashës. Osman Beu ishte historian dhe dijetar (ulema) i ligjit islam dhe mësimdhënës në medrese prestigjioze të perandorisë. Ai përktheu në turqishten osmane shumë vepra nga arabishtja dhe persishtja. Ai jetoi jashtëzakonisht gjatë për epokëen e tij dhe vdiq në vitin 1603. Ai i përkiste klasës së dijetarëve që kaluan në gradat e larta gjyqësore. Ai pati një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor osman. Ai ishte kadi (kryegjyqtar) i Selanikut (1586-87, 1588-89), Yenishehirit (1587), Üsküdarit (1589-91), Mekës (1591-92), Kajros (1594-95) dhe më në fund i Stambollit, kryeqytetit perandorak në vitin 1600. Kadilluku (gjyqësia) e Stambollit ishte zyra më e lartë gjyqësore në perandori. Ndërsa Osman Beu i afrohej moshës së daljes në pension, në vitin 1601 ai kërkoi të transferohej në Kajro për vitet e tij të fundit si gjyqtar.

Ai mbante korrespondencë me shumë individë të klasës intelektuale osmane. Osman Beu ndoqi shkollën hanefi të mendimit islam. Ai shkroi disa vepra, më e madhja dhe më e njohura prej të cilave është Ezharü'l-cemail fi vasfi'l-evail, të cilën ia paraqiti sulltan Muratit në vitin 1603 pak para vdekjes së tij. Varri i tij ndodhet në varrezat e Xhamisë së Ashik Pashës (Aşik Paşa Camii), në Stamboll.

Dukaginzade Ahmed Fasih Dede

Dukaginzade Hasan Beu ishte kethüda (guvernator lokal) në trevat e Alepos dhe Damaskut. Në kryengritjen e princit Bajazid kundër Sulejmanit ai mbështeti Bajazidin dhe rekrutoi shumë burra në Siri për t'a mbështetur atë. Pas humbjes së Bajazitit në 1559, ai u kap dhe u ekzekutua.

Dukaginzade Gazi Mehmed Pasha ishte sanxhakbej (guvernator) i Shkodrës (1570) dhe ndoshta kishte të njëjtin pozicion në zona të tjera të Ballkanit si në Smederevë dhe Kuystendil. Ati ose gjyshi i tij mund t'i kenë mbajtur këto poste gjithashtu (Smederevë/Kuystendil). Mehmed Pasha është i lidhur me vakëfin e stërgjyshit të tij në Prizren dhe zgjerimin e tij, i cili rezultoi në ndërtimin e Kompleksit të Xhamisë Bajrakli, i njohur sot si Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit (i emërtuar sipas Lidhjes së Prizrenit). Gazi Mehmed Pasha la trashëgimi më shumë se 340.000 akce për ndërtimin e kompleksit, i cili përfshinte shkolla, një bibliotekë, banja publike dhe objekte të tjera. 340,000 akce ishte një investim jashtëzakonisht i lartë në atë kohë. Për krahasim vlen të përmendet se vlera e vakëfit të sanxhakbeut të Prizrenit ishte vetëm 25.000 akce. Duke marrë parasysh inflacionin dhe elemente të tjera ekonomike, sipas standardeve moderne do të ishte një shpenzim mbi 7.5 milionë dollarë. Për më tepër, ai siguroi 1/3 e pasurisë së tij totale pas vdekjes së tij (më shumë se 10 milionë dollarë) për t'u përdorur drejtpërdrejt nga pasardhësit e tij për mirëqenien e kompleksit. Xhamia Bajrakli ndodhet më pak se 1 km nga Xhamia Tabakhane e ndërtuar nga Dukaginzade Ahmed Pasha. Që të dyja qëndrojnë si simbole të trashëgimisë që lanë Dukagjinët në qytetin e Prizrenit, ku sipas Marin Barletit në shekullin e 15-të qëndronte busti i Nikollë Dukagjinit, vëllait të gjyshit të Ahmed Pashës, Lekës III.

Dukaginzade Gazi Mehmed Pasha e konsideronte Prizrenin një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Prandaj ai e ndërtoi turben (varrin) e tij në qytet në kompleksin e Xhamisë Bajrakli. Megjithatë, ai nuk u varros në Prizren, por në Hungari më 1594-1596 në një vend të panjohur kur vdiq në mes të një fushate ushtarake.


Dukaginzade Ahmed Beu i njohur më mirë me pseudonimin e tij Fasih Ahmed Dede ishte poet, piktor dhe kaligraf i shekullit të 17-të. Fasih ndikoi në mënyrë të rëndësishme mbi poezinë dhe letërsinë e botës osmane të epokës së tij. Kur vdiq, siç ishte zakoni, një poet i zgjedhur duhet të dërgonte një mbishkrim për t'u gdhendur në lapidarin e tij. Fasih Dede ishte aq gjerësisht i njohur në të gjithë botën myslimane, saqë dy poetë të mëdhenj të kohës, Nihadi dhe Khani i Krimesë, Shahin Giray dërguan dy lapidarë. Pasi u konsiderua nder i jashtëzakonshëm që dy mbishkrime nga individë të shquar u shkruan për atë, të dyja u vendosën mbi varrin e tij.

Ai u lind midis viteve 1625-1635 dhe e përshkroi gjenealogjinë e tij si "Fasîh Ahmed b. Mehmed b. Dukakinzade Ahmed Bey b. Mehmed Pasha b. Ahmed Pasha". Në rininë e tij, Dukaginzade Ahmed hyri në radhët e administratës osmane nën vezirin e madh shqiptar Köprülüzade (Qyprili) Fazil Ahmed Pasha në Thesarin Perandorak dhe ishte kaligrafi i Fazil Ahmed Pashës. Megjithatë, ai braktisi karrierën e ardhshme në administratë dhe në fillim të viteve 1670 iu bashkua urdhrit Sufi Mevlevi kur takoi poetin e famshëm Gavsî Ahmed Dede. Fazil Ahmed Pasha ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të Fasih Dedes në kryeqytetin osman.

Fasih Dede vdiq në vitin 1699. Ai është varrosur në Galati Mevlevi të Stambollit. Një turmë e madhe u mblodh në varrimin e tij. Përdorimi mjeshtëror i turqishtes, persishtes dhe arabishtes në veprat e tij ka qenë objekt i shumë studimeve. Ai lindi midis viteve 1625-1635 dhe e përshkroi gjenealogjinë e tij si "Fasîh Ahmed b. Mehmed b. Dukakinzade Ahmed Bey b. Mehmed Pasha b. Ahmed Pasha". Në rininë e tij, Dukaginzade Ahmed hyri në radhët e administratës osmane nën vezirin e madh shqiptar Köprülüzade Fazıl Ahmed Pasha në Thesarin Perandorak dhe ishte kaligraf i tij. Megjithatë, ai braktisi karrierën e ardhshme në administratë dhe në fillim të viteve 1670 iu bashkua Urdhrit Sufi Mevlevi Dervish kur takoi poetin e famshëm Gavsî Ahmed Dede. Köprülüzade Fazıl ishte një nga patronët e tij të mëdhenj në kryeqytetin osman.

Fasih Dede vdiq në vitin 1699. Ai është varrosur në Galati Mevlevi të Stambollit. Një turmë e madhe u mblodh për të nderuar në varrimin e tij. Përdorimi i tij mjeshtëror i turqishtes, persishtes dhe arabishtes në veprat e tij ka qenë objekt i shumë studimeve.

Përveç Progon/Ahmed Dukagjinit/Dukaginzade, degë të tjera të familjes Dukagjini u konvertuan në Islam. Djali i Gjergj Dukagjinit, Pali, gjithashtu u konvertua në Islam dhe mori emrin Ahmed.. Ai ende shfaqet si mbajtës timari në vitet 1450. Kjo degë duket se ka pasur toka në Tetovë. Motra e tij Vella ishte e martuar me një pjesëtar të familjes Kuka. Djali i tyre ishte i njohur si Vesi Beu. Një pasardhës i Ahmed Beut duhet të ketë qënë Jahja Dukagjini (Dukaginzade Yahya Bey), i njohur dhe si Taşlıcalı në turqist, një referencë për peizazhin malor të trojeve shqiptare.

Jahja Dukagjini u lind rreth vitit 1482. Ai jetoi në epokën e Sulejmanit të Madhërishëm. Ai u shkollua në akademinë e jeniçerëve dhe mori pjesë në shumë fushata, përfshirë atë të Irakut. Përvojat e tij në jetë shënuan mendimin e tij dhe ai më vonë shfaqet si poet. Në fakt, ai ishte gjerësisht i njohur në shekullin e 16-të dhe kishte shumë mbështetës, duke përfshirë vezirë të mëdhenj, në kryeqytetin osman. Poezitë e tij shquhen për thjeshtësinë dhe qartësinë e tyre. Në poezitë e tij, ai shpesh merret me aspekte më personale të jetës së tij si familja dhe origjina e tij etnike. Vdiq në vitin 1582 në mërgim të brendshëm në Zvornik për shkak të poezisë që ia kushtoi princit Mustafa, të cilin e vrau Sulejmani. Ai është varrosur në Zvornik ose në Loznice.

Në Alepo, për shkak të famës së Xhamisë Al-Adilija të ndërtuar nga Dukaginzade Mehmed Pasha, familja u bë e njohur si El Adili përveç Dukaginzade. Emri Dukagjini/Dukaginzade dhe El Adili u përdorën në mënyrë të ndërsjellë që nga ajo epokë. Kjo degë ka nxjerrë shumë pedagogë dhe studiues. Njëri prej tyre ishte Abd al-Latif Adili në fund të shekullit të 18-të. Në Alepo, në shekullin e 19-të, Lutuf Bej Adili u ngrit në pozitën prestigjioze naqib al-ashraf. Një degë e tyre u vendos në Stamboll. Anëtarët e saj sot rrjedhin nga Dukaginzade Mehmed Qemal Beu, ati i historianit të njohur Feridun Dirimtekin. Familja mori mbiemrin Dirimtekin në bazë të Ligjit mbi Mbiemrat (1934) në Turqi.

Në shekullin e 20-të, familja luajti një rol aktiv në jetën politike siriane. Fuad Bej el Adili ishte Ministër i Punëve Publike të Sirisë (1930). Stërnipi i tij Omar El Adli Dukaginzade është anëtari i familjes nëpërmjet të cilit linja atërore e Dukagjinit është testuar dhe verifikuar si nëndegë e J-L283. Fuad Beu mbajti kontakte me Shqipërinë dhe u takua me disidentët shqiptarë nga malësia e Dukagjinit që arritën në Siri pas viteve 1926-1927. Kur Zogu I u bë Mbret i Shqipërisë, ai protestoi për kurorëzimin e tij, pasi konsideronte se Dukagjinët ishin trashëgimtarët e ligjshëm të fronit të Shqipërisë. Sot familja është e shpërndarë në shumë shtete e kontinente.

Previous
Previous

Një shekull në luftë: Dukagjinët në shekullin e 15të

Next
Next

Trevat e Dukagjinëve